Lajme

Ilirjani: Paga e 13-të dhe shpërblimet, në bazë të performancës

Themeluesi i  kompanisë së punësimeve dhe trajnimeve The Headhuhter sh.p.k, Elton Ilirjani, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up” në Top Channel, ku ishin të pranishëm edhe zv. Ministri i Financave Ervin Mete, si dhe kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollaj, foli lidhur me shpërblimet e fund-vitit qoftë në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Sipas Ilirjanit sektori privat ka qenë më dorëlëshuar në pesë vitete e fundit, sa i takon pagës së 13-të, ose benefiteve të fund-vitit.

Ilirjani u shpreh, se gjithsesi kjo është një marrëdhënie e rregulluar me kontratë dhe se nuk mund të ketë benefite apo shpërblime nëse ato nuk përcaktohen qartë në kontratën e punës.

“Shpërblimet duhet të jenë në përpjestim të drejtë me arritjet. Nuk mund të mos ketë bonuse në sektorin privat, kur ka arritje. Shpërblimi duhet të shkojë për ata që e meritojnë, pra nuk duhet dhënë për lëmoshë”.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit Eno Popi, nëse kjo meritokraci në shpërblime duhet të jetë vetëm në sektorin privat apo edhe në atë publik, Ilirjani theksoi: “Konkurrencë duhet të ketë në çdo institucion. Unë jam kundër populizmave të fund-vitit, të zgjedhjeve, apo pas zgjedhjeve. Duhet të ketë një kulturë shpërblimi në bazë të arritjeve personale. Biznesi po e kupton, po adaptohet, kanë vendosur sistemin e meritës. Ata që e meritojnë marrin bonus. Nuk ka në SHBA apo Britani shpërblime në masë populiste, por vetëm bonuse performance.”

“Kompanitë ndërkombëtare në Shqipëri kanë sisteme bonusi, ndërsa kompanitë shqiptare vazhdojnë ta konsderojnë si lëmoshë, apo e japin për gjelin e detit që mbetet populizëm”.