Lajme

Ilirjani: Akademi turizmi në Dhërmi, të rinjtë do të vënë në praktikë njohuritë

I ftuar dje në mëngjes në emisionin “Wake Up” në Top Channel, themeluesi i The Headhunter, Elton Ilirjani, diskutoi në studio lidhur me trendet më të fundit të pagave dhe kërkesave për punë në Shqipëri.

Të listuara si profesionet më të paguara nga një shkrim i fundit i revistës Monitor, renditeshin: Ekonomi/ Financë, Teknologji e Informacionit, Marketing, Zhvillim programesh, Digital, Inxhinieria, Mekatronika, Prodhim/Industria kimike, etj.

Ilirjani u shpreh se në fakt “Ekonomi/financë, vërtet janë më të kërkuarat, por janë edhe ato degë ku ka një qarkullim më të lartë të pozicioneve, të cilat brenda një viti mund të kalojnë edhe ne 2-3 kompani. Nga ana tjetër, sektorin e zhvillimit të programeve dhe mekatronikën, nuk arrijmë t’i mbulojmë dot me kandidatë, sepse nuk ka profile të mirëpërgatitura. Kompanitë ndërkombëtare i drejtohen Kosovës më tepër për raste të tilla. Mekatronika deri para 5-6 vitesh nuk ekzistonte si një degë e mirëfilltë në Universitetin e Tiranës. Në këtë profil rroga mund të shkojë edhe deri në 3 mijë euro, kur ka një kandidat të aftë. Fakti që në tregun tonë ka boshllëk në këtë profil  bëri që një kompani e madhe për Air Bag të hapte për këtë arsye fabrikën e saj në Maqedoni”.

I pyetur nga gazetari Eno Popi nëse të rinjtë që kanë diplomë, vegjetojnë, apo ka ndonjë ndryshim në tregun e punës, Ilirjani njoftoi se tashmë The Headhunter është i angazhuar në një projekt të USAID dhe qeverisë suedeze për turizmin, falë të cilit do të trajnohen burimet njerëzore për 6 profesionet kryesore të sektorit.

“Mbi 2 mijë të rinj dhe te reja do të certifikohen. Do të kemi një akademi të re, akademia e turizmit në Dhërmi, ku kandidatët e trajnuar nga ne do tu shërbejnë klientëve realë. Nuk është mirë të mbarojmë juridikun dhe të bëjnë kamarierin, dhe të mbarojmë ekonomikun e të bëjnë taksixhiun. Duhet të ndjekim shkollimin profesional. Tregu nuk ka kërkesa vetëm për IT. Sot ne nuk kemi ekspertë të prodhimit ushqimor. Kam disa klientë, që e dinë që janë vetëm dy-tre ekspertë të tillë dhe ia qarkullojnë njëri-tjetrit ata”.

Ilirjani u ndal specifikisht te shkrimi mbi pagat, në pjesën ku shefi i kuzhinës thuhet se paguhet 800-1000 euro.

“Shefat e kuzhinës sot janë me pakicë – tha themeluesi i The Headhunter - sepse të jesh shef kuzhine nuk do të thotë të marrësh tiganin dhe të skuqësh peshkun keq në Dhërmi. Shef kuzhine është një profesion që duhet vërtet të jetë i certifikuar. Unë nuk njoh këtu shefa kuzhine që kanë një licensim ndërkombëtar për sa i takon higjenës për shembull. Ne do të bëjmë të mundur me Akademinë e Turizmit që ky certifikim të garantohet”.

Lidhur me pagat dhe pjesën sipas të cilës një shef finance sot në Shqipëri mund të paguhet 3-4 mijë euro, Ilirjani theksoi:

“Shifrat nuk janë reale. Mekatronika nga 1 mijë euro që është përcaktuar në shkrim, në fakt mund të shkojë edhe në 4 mijë euro dhe jo 1 mijë, pasi kemi shumë kërkesa dhe nuk gjejmë personat. Inxhinieri ndërtimit duhet specifikuar nëse është në infrastrukturë, në kompani ndërkombëtarë, apo në kantier ndërtimi në Tiranë që të mund të themi nëse paga e tij mesatare prej 1.000 eurosh është e saktë apo jo. Ndërkohë, ndër pozicionet më të paguara është vendosur edhe ajo e drejtuesit të burimeve njerëzore, por kërkesa për këtë profil është shumë e pakët. Sa për shef finance, është realisht e ekzagjeruar paga 3-4 mijë euro, pra nuk është reale”. 

Më poshtë mund të ndiqni linkun e plotë të emisionit:

https://www.youtube.com/watch?v=hAgRmSYWgf8