Lajme

Përfaqësuesja e USAID, vizitë në zyrat e The Headhunter

Përfaqësuesja e USAID për Shqipërinë Znj. Cate Johnson ishte për një vizitë informale sot në zyrat e The Headhunter në Tiranë.

E shoqëruar nga kolegia e saj, Znj. Zhaneta Shatri, Znj. Cate Johnson u njoh me stafin e kompanisë, historinë dhe arritjet e saj, si dhe u informua lidhur me ecurinë e projektit “People First” nga drejtori i projektit Z. Besart Kondi, si dhe nga eksperti i suportit teknik të projektit Z. Elton Ilirjani, njëherësh edhe themelues i kompanisë The Headhunter.

Znj. Johnson u shpreh tepër entuziazte lidhur me zbatimin e projektin dhe perspektivën e tij dhe theksoi se motivimi që sheh tek ekipi drejtues e bën atë që të jetë besimplotë për suksesin e tij.

Projekti “People First” do të trajnojë 2 mijë të rinj dhe të reja, që do të marrin një profesion konkret në sektorin e turizmit dhe do të ketë kujdes që mes personave përfitues, të jenë padyshim në fokus gratë dhe personat që i përkasin grupimeve shoqërore që konsiderohen si vulnerabël.

Projekti do të shtrihet në 4 rajone turistike të Shqipërisë, si në rrethet e Korçës, të Shkodrës, Vlorës dhe Durrësit.

Aktualisht është përzgjedhur një hotel në Dhërmi, që do të shërbejë si Akademi Turizmi dhe ku kandidatët më të talentuar do të vënë në praktikë njohuritë e marra gjatë trajnimit, duke u shërbyer klientëve realë.

Gjithashtu janë përcaktuar kurrikulat që do të përdoren për të trajnuar dhe certifikuar kandidatët nga ekspertët më të mirë të sektorit.

Të trajnuarit, do t’i marrin njohuritë nëpër Qendrat shtetërore të Trajnimit Profesional, si dhe nëpër hotele dhe restorante private, me mbi 100 prej të cilave The Headhunter ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi, me synim punësimin e plotë të të gjithë të trajnuarve, gjë për të cilën vetë kompanitë janë shprehur tejet të interesuara.

Znj. Johnson u shpreh gjithashtu se janë pikërisht të rinjtë shqiptarë që e bëjnë të mbushet me shpresë dhe si e ardhmja e vendit ia vlen që të investohet tek ta.

Në mënyrë simbolike, drejtuesi i projektit Z. Besart Kondi dhe Përfaqësuesja e USAID Znj. Johnson prenë një tortë, mbi të cilën ishin vendosur logot e projektit.  

Z. Ilirjani e falenderoi Znj. Johnson për mbështetjen dhe e vuri në dijeni për frymëzimin që ka kompania The Headhunter nga Shtetet e Bashkuara, ku së fundmi ka hapur edhe një degë të sajën.

Znj. Johnson u shpreh e gatshme për bashkëpunimin e saj maksimal për mbarëvajtjen e projektit.

Znj. Shatri ndërkohë theksoi se mbështetja financiare që ka dhënë USAID është sepse beson tek ekspertiza e kompanisë The Headhunter dhe të dyja palët ranë parimisht dakord se ky projekt duhet të vijojë ndër vite për të patur një impakt sa më të madh te nxitja e punësimit.   

 
Image
Image

Image

Image
Image