Lajme

Work-shop në Dhërmi për ecurinë dhe strategjitë

The Headhunter Group zhvilloi dje në kafe Panorama në Dhërmi (Bashkia Himarë) një work-shop lidhur me ecurinë e deritanishme të grupit si dhe për të përcaktuar strategjitë afatgjata të së ardhmes.

Në këtë takim, përveç stafit drejtues të selisë qendrore në Tiranë, ishin të pranishëm edhe drejtuesit e degëve të The Headhunter në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë.

Përveç rritjes së kompanisë me 128% që prej themelimit të saj në vitin 2012, u diskutua edhe lidhur me hapat që duhen ndërmarrë për konsolidimin dhe përmirësimin e mëtejshëm, çka është një detyrim për The Headhunter, duke parë edhe zgjerimin e tij në shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia.

Mes arritjeve të The Headhunter, u theksua numri i rekrutimeve për punë në Shqipëri, që vetëm vitin e kaluar kapi shifren e 1308 burimeve njerëzore, ndërkohë që The Headhunter ka plot 1500 punonjës të tjerë me të cilët ka lidhur kontratë po gjatë 2016-s, dhe të cilët punojnë në kompani të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë vendit, në kuadër të shërbimit mjaft të përparuar dhe inovativ të “dhënies së stafit me qera” që ofron grupi për të gjitha kompanitë.

Sakaq, edhe Kosova e Maqedonia nuk ngelen pas për sa i takon arritjeve dhe ofrimit të të njëjtave shërbime.

Nuk kishte si të mos theksohej edhe suksesi i The Headhunter në fushën e trajnimeve, ku vetëm gjatë dy vitëve të fundit, nga eskpertët e grupit tonë janë trajnuar dhe kualifikuar mbi 5.500 punonjës të institucioneve publike shqiptare, sikurse janë OSHEE dhe Autoriteti Portual Durrës, lidhur me tema të rëndësishme si ofrimi i një shërbimi cilësor ndaj klientëve, shëndeti dhe siguria në vendin e punës e kështu me radhë.

Zgjedhja e Dhërmiut për zhvillimin e këtij seminari nuk është një rastësi, pasi në këtë perlë të natyrës dhe të bregdetit shqiptar, së fundmi ka nisur përgatitjet krijimi i Akademisë së parë shqiptare të Turizmit, në kuadër të projektit tashmë të mirënjohur “People First”, një projekt i pritur me shumë entuziazëm dhe padurim nga të gjithë vendasit tejet mikpritës dhe të interesuar për zhvillimin e një turizmi cilësor dhe elitar.