Lajme

Ymerali: Hapat për të shmangur “surprizat” e kontratës

E ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up” në televizionin Top Channel, bashkëdrejtuesja e The Headhunter, Eranda Ymerali, diskutoi në lidhje të drejtëpërdrejtë me studion sa i takon temës së leximit apo mosleximit të kontratave nga ana e punëkërkuesve apo punëmarrësve. 

Drejtuesit e emisionit vunë theksin te fakti se sot ka një rënie vëmendjeje ndaj asaj çfarë nënshkruhet dhe se në shumicën e rasteve, kontratat nuk lexohen.

Lidhur me këtë fenomen, Ymerali theksoi se: “Kandidatët vlerësojnë lajmin e mirë, por lënë të tjerat mënjanë. Por duhet të kenë parasysh se duke vepruar kështu mundet që entuziazmi të mbarojë shpejt dhe palët të gjenden përballë njëra-tjetrës, dhe jo gjithnjë gjërat janë ashtu sikurse mund të kishin nisur”.

Për të shmangur ndonjë të papritur të papëlqyeshme Ymerali këshilloi që “Kur një person informohet se ka fituar një pozicion pune, duhet që minimalisht palët të ulen dhe të shpenzojnë të paktën 15 minuta kohë. Pra nëse lexohet një kontratë e bollshme që reflekton kodin e punës në detaje, një gjë e tillë nuk të merr më shumë kohë se sa kaq”.

Mund t’i ngresh pyetje punëdhënësit për gjërat e paqarta – vijoi më tej Ymerali. - Neni kryesor është neni që flet për pagën dhe punëmarrësi ka prirje që të shikojë pagën dhe të anashkalojë të tjerat. Por ka edhe shumë detaje të tjera që duhen patur kujdes, nëse të dhënat personale janë të sakta apo jo. Duhet të kemi numrin personal, si një numër identifikues, i cili nuk ndryshon, ndërkohë që ata të kartës dhe të pasaportës ndryshojnë”.

E pyetur se si mund ta bësh një punëmarrës që nuk dëshiron ta lexojë kontratën, që ta bëjë një gjë të tillë përpara se ta firmosë, Ymerali paraqiti standardin që përdor kompania The Headhuner.

Mënyra që ne aplikojmë në zyrën tonë, është duke i lëmë vetëm punëmarrësit në sallën e mbledhjeve, pa asnjë mjet firmosjeje. Mjaftojnë 15-20 minuta kohë dhe më pas një nga përfaqësuesit e kompanisë tonë ulet me kandidatin apo punëmarësin, për t’i shpjeguar në detaje se çfarë do të thotë çdo pikë e kontratës. Lidhur me detajet tenkike, stilolapsi është shumë e rëndësishme që të jetë ngjyrë blu”.

Përballë shqetësimit të ngritur se brezi i ri në Shqipëri dhe më gjerë nuk lexon në përgjithësi, Ymerali shtoi: “Është një tendencë e përgjithsme e jona si shqiptarë, ndoshta edhe e trashëguar nga brezat e kaluar. Është shumë e rëndësishme që në rastin tonë të jetë punëdhënësi ai që duhet ti’a vëjë në dijeni faktin kandidatit se kontrata duhet të lexohet, në mënyrë që të lexohet çdo gjë pozitive dhe negative që në krye të herës, për të shmangur surprizat. Kontrata nuk është shumë e gjatë, ajo hartohet me një gjuhë të thjeshtë, përjashto rastet kur punëdhënësi synon të mashtrojë punëmarrësin. Nëse flasim për një marrëdhënie të pastër nga e cila të dyja palët duan të përfitojnë, punëdhënësi është atje pikërisht për të shpjeguar dhe i duhet vënë në përdorim punëmarrësit edhe kodi i punës, për ti’u referuar dhe për të parë nëse neni apo një fjali e caktuar është shprehur apo jo saktësisht si në kodin e punës”.

Në linkun e mëposhtëm mund të shihni emisionin e plotë: 

https://www.youtube.com/watch?v=T-WZi8_3KPw&feature=player_embedded