Lajme

Ilirjani: Turizmi, mundësi për zhvillim të qëndrueshëm karriere

I ftuar në emisionet “Mirëmëngjes Shqipëri” në TVSH dhe Wake Up në Top Channel në datat 07 dhe 09 qershor 2017, themeluesi i The Headhunter Group, Elton Ilirjani, u bëri me vendosmëri thirrje të rinjve që të përfshihen në trajnime në sektorin e turizmit, ku edhe punësimi dhe zhvillimi i një karriere të qëndrueshme është më i sigurt.

I pyetur se përse ka një rritje të numrit të të rinjve që shkojnë për të punuar sipas INSTAT, por që janë të pakënaqur nga pagat që marrin, Ilirjani tha: “Problemi është se shpesh përballen me biznese familjare që nuk i trajtojnë në mënyrë shumë profesionale. Të gjithë duan të bëjnë punë me para shumë shpejt në profesione si gazetar, avokat, apo deputet. Por në fakt turizmi është e vetmja industri që të rinjve do tu japë një të ardhme shumë të qëndrueshme”.

Por a do të vlejë kjo edhe për ata që kanë diplomën e shkollës së lartë në një profil tjetër?

Sipas Ilirjanit, nuk ka asnjë problem që dikush që ka studjuar për drejtësi të bëhet një menaxher shumë i zoti në një hotel prestigjoz.

“Cdokush që ka një diplomë të lartë, mund të jetë një menaxher resortesh të mëdha, menaxher hoteli me 5 yje. Brenda pesë vitesh në Shqipëri mund të ketë investime shumë të mëdha, mund të ketë hotele si Hilton, etj dhe pagat mund të jenë mjaft të larta”.  

Duke folur për projektin “People First” nëpërmjet të cilit The Headhunter do të trajnojë falas 2 mijë të rinj në 8 profesione në fushën e turizmit dhe më pas do ti punësojë menjëherë në mbi 400 biznese turizmi shqiptare, Ilirjani u bëri një thirrje strukturave shtetërore me të cilat The Headhunter po bashkëpunon:

“Të ngrihen grupet e punës, pasi janë ngritur vetëm dy nga pesë, lidhur me zyrat e formimit profesional”.

Duke vënë theksin te disa nga problematikat e turizmit, Ilirjani theksoi se “Nuk kemi struktura të mirëorganizuara për të trajnuar të rinjtë në fushën e turizmit”.

Sipas tij “Gjëja kryesore është që të rinjtë duhet të besojnë te industria e turizmit. Pra është në modë që të punosh në turizëm, sepse është e ardhmja. Profesione kuzhine sot dalin me 3 mijë, me 4 mijë euro paga, dhe kanë një status të caktuar”.

Ilirjani solli edhe risinë e Akademisë së Turizmit në Dhërmi të ngritur nga The Headhunter, ku do të bëjnë praktikën shumë të rinj të talentuar.

“Është një ide e lindur nga një përvojë në Glasgou. Problemi është se të rinjtë nuk janë shumë të motivuar për punë sepse janë të zhgënjyër dhe e kanë humbur besimin. Por për punëdhënësit është një shërbim i madh ky që ne po bëjmë. Pra do të nxjerrim në dy vjet 2 mijë persona  të kualifikuar në fushën e turizmit me certifikim ndërkombëtar, që do të mbajë logo të rëndësishme si të USAID, të ambasadës suedeze, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit”.

“Punëdhnësit duhet të kuptojnë gjithashtu se investimi te njeriu nuk ëhstë ansjëherë një kosto ekstra, por është një investim që të kthehet pas dyfish ose më shumë” – përfundoi Ilirjani, duke bërë thirrje që të gjithë të interesuarit të nisin menjëherë një CV në [email protected] për të përfituar nga trajnimi falas, praktika e paguar dhe punësimi i sigurt në bizneset e turizmit që mundëson The Headhunter.

Për më shumë shihni videot e të dyja emisioneve më poshtë: 

https://www.youtube.com/watch?v=rlb3qpmo35s

https://www.youtube.com/watch?v=mNUmnuEi7WY