Lajme

“Faleminderit që ma bëtë ëndrrën realitet”

Përmes një e-mail-i të ardhur në adresën e The Headhunter [email protected] pak kohë më parë, një nga kandidatet tona për stjuardesa, e përzgjedhur për t’u trajnuar nga kompania prestigjoze e fluturimeve ndërkombëtare Kuwait Airways, na jepte lajmin e mirë se ajo tashmë e ka fituar vendin e punës dhe ka nisur të ushtrojë detyrën e stjuardesës në Kuwait City.

Krisela Leka, ashtu si shumë vajza të tjera, që morën pjesë në konkursin përzgjedhës në Tiranë rreth gjashtë muaj më parë, ishte mjaft dyshuese në fillim lidhur me mundësinë reale që do të vinte nga kjo eksperiencë, të zhgënjyera ndoshta edhe nga shumë kompani fantazma në Shqipëri që operojnë në fushën e punësimit, të cilat fatkeqësisht shpeshherë abuzojnë apo i mashtrojnë punëkërkuesit.

Por rasti i Kriselës dhe i mjaft vajzave të tjera që janë dërguar nga The Headhunter në Kuvajt është një histori suksesi, serioziteti dhe profesionalizmi që do të vijojë edhe më tej me mjaft rekrutime të tjera në këtë fushë.

Sikurse dëshmon edhe vetë Krisela në e-malin e dërguar, ajo na drejtohet me mjaft mirënjohje duke na shkruar: “Po iu shkruaj këtë E-mail për t'iu falenderuar ju dhe kompaninë Headhunter për mundësinë e madhe që më dhatë të realizoj ëndrrën time si Stjuardesë. Ne sapo kemi përfunduar me sukses trajnimin dhe kemi firmosur kontratën një vjeçare me Kuwait Airways. Gjithashtu sapo kam kryer fluturimin e parë dhe ndihem shumë e lumtur dhe e emocionuar. Ju falenderoj nga zemra dhe iu uroj suksese të gjithëve si staf dhe kompanisë Headhunter.

Me respekt Krisela Leka”.

I urojmë Kriselës shumë fat dhe suksese të mëtejshme në karrierën e sapo nisur dhe ndihemi krenarë që i shërbejmë dhe do t’i shërbejmë gjithnjë me devotshmëri dhe efikasitet punëkërkuesve në Shqipëri dhe më gjerë.